“Ngelcanat” nëpër ambasada

04.02.2012 (komentet: 0)

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nën drejtimin e ish-ministrit Skender Hyseni, i ka shpërblyer me pozita të larta dhjetëra kandidatë që gjatë intervistimit janë radhitur të fundit në listë për nga pikët e fituara, ndërkaq, të kundërtën e ka bërë me kandidatët që janë treguar më të suksesshëm.

Sipas një dokumenti që ka siguruar “Zëri”, ku janë të radhitur kandidatët në bazë të pikëve që kanë marrë gjatë intervistimeve në vitin 2009 për pozita të ndryshme në shërbimin diplomatik e konsullor, shumë prej tyre që kanë marrë pikë minimale janë përzgjedhur si pjesë e stafit diplomatik e konsullor nëpër ambasada të ndryshme, derisa kandidatë me pikë më të larta kanë rënë nga “kombinimi”.

Madje, Komisionit Intervistues të MPJ-së i kanë mjaftuar vetëm 4.3 pikë që ka marrë Agron Smakiqi, që atë ta bëjë sekretar të parë në Ambasadën e Kosovës në Shkup. Me vetëm pak pikë më shumë sesa Smakiqi, me 7.3 pikë, Burim Qorri është emëruar si sekretar i parë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Në saje të punës “profesionale” dhe “korrekte” që ka bërë komisioni i atëhershëm që përbëhej prej Qerim Qerimit - këshilltar i parë i ish ministrit Hyseni, Fitim Gllarevës - ish sekretar permanent në MPJ, Lulzim Mjekut - drejtor i Drejtorisë së përgjithshme në MPJ, Besfort Rrecajt - këshilltar i ish zëvendësministres së Jashtme Vlora Çitaku, Suzana Krasniqit - nga Departamenti Ligjor i MPJ-së dhe Melhin Mahmutit - po ashtu nga MPJ, sot Republika e Kosovës ka dhjetëra zëvendëskonsuj që gjatë intervistimit nuk janë treguar edhe aq të suksesshëm. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment