Mocioni i PDK-së në Kushtetuese

27.01.2012 (komentet: 0)

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të enjten i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga e cila kanë kërkuar interpretim për mocionin e fundit të iniciuar nga PDK-ja, i cili ka shfuqizuar tashmë ish-mocionin e Vetëvendosjes për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.

 

Në këtë formë, nëpërmjet institucionit më të lartë në vend për interpretimin e Kushtetutës, anëtarët e lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti pretendojnë që ta hedhin poshtë vendimin e fundit të Kuvendit.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë nëpërmjet telefonit se çështja tashmë ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, por ai nuk ka dhënë detaje të tjera, nën arsyetimin se nuk i ka ato.

Molliqaj i ka sugjeruar redaksisë që për këtë t’i drejtohet shefi t të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, por me gjithë përpjekjet e redaksisë, ai nuk është lajmëruar në telefon.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse drejtuesit e Vetëvendosjes e kanë ose jo mbështetjen e dy partive tjera opozitare, LDK-së dhe AAK-së, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ata mund t’i drejtohen Kushtetueses vetëm me nënshkrimet e dhjetë deputetëve të Vetëvendosjes.

Dërgimi i mocionit të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese ka “lindur” si ide gjatë një mbledhje të kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes gjatë javës së kaluar, vetëm pak kohë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar atë.

Për çështjen në fjalë gazeta “Zëri” ka raportuar vetëm një ditë pas miratimit të mocionit, përkatësisht në ditën kur deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca zyrtarisht e ka deklaruar këtë, duke theksuar se mocioni në pikën e parë iu referohet marrëveshjeve që ka arritur Kosova me Serbinë, të cilat sipas tij, meqenëse nuk janë të ratifikuara në Kuvend, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, e që rrjedhimisht edhe mocionin e bëjnë jokushtetues.

Dërgimi i mocionit të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese për analistët politikë nënkupton tendencën e këtij subjekti politik që ta vazhdojë betejën politike me partinë e kryeministrit Thaçi, PDK-në.

“Vetëvendosja po dëshiron që ta vazhdojë betejën politike me qeverinë edhe s’ka dyshim se ajo është duke fituar nga kjo betejë, sepse u pa që në protestën e fundit të saj dolën shumë më shumë protestues sesa në protestën paraprake”, thotë Ardian Arifaj nga organizata KIPRED.

Ky analist thekson se anëtarët e Vetëvendosjes tashmë e kanë marrë, siç thotë ai, flamurin e partisë më të fortë opozitare, prandaj janë të interesuar që çështjen e mocionit ta dërgojnë deri në fund dhe mos të dorëzohen.

Ndërkohë, drejtuesit e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar se për një kohë të papërcaktuar nuk do të ketë protesta të ngjashme me protestat e fundit tek pikat kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë.

“Aktualisht kushtet e pengojnë organizimin e protestës në Merdar dhe te Dheu i Bardhë, temperaturat e ulëta, si dhe agresiviteti policor e qeveritar”, thotë Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje, duke pohuar se megjithatë kjo lëvizje do t’i thërrasë qytetarët që të protestojnë sa herë që një gjë e tillë të jetë e nevojshme.

Ai thotë se Vetëvendosja e sheh të përhershëm rrezikun që qeveria t’i pengojë protestat, qoftë duke i larguar me dhunë protestuesit nga protesta apo duke ua penguar mjetet logjistike.

Kthehu mbrapa

Shto koment