Miratohet rregullorja për procedurat dhe kriteret për vendosjen e përmendoreve...

10.02.2012 (komentet: 0)

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit kanë miratuar të enjten rregulloren mbi procedurat dhe kriteret për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve, lapidarëve dhe simboleve.



Lidhur me këtë çështje Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk është pjesë e Kuvendit, por si parti e dalë e dyta me vota në zgjedhjet nacionale, kishte kërkuar përmes një kërkesë në adresë të kryesuesit, që Kuvendit ta heq nga rendi i ditës  këtë pikë, për t’i lënë Kuvendit të Kosovës që këtë çështje ta rregullojnë me ligj në nivel vendi.

Siç dihet, përpjekja e mëhershme për t’u zhvendosur shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës nga hapësira para Hotelit në qendër të qytetit, kishte hasur në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, në seancën e sotme marrja e një vendimi të tillë do të heq të gjitha dilemat dhe derisa sipas Kuvendit ky vendim do të sjellë rregull në këtë çështje. Vetëvendosje vlerëson se kjo nuk është asgjë tjetër pos tendencë për marrjen e legjitimitetit juridik nga drejtuesit e komunës për realizim të interesave personale.

Përndryshe, Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka thënë se të gjithë dëshmorëve e heronjve do t’u gjendet vendi i mirë ku do t’u ngritën bustet e përmendoret dhe tani kjo do të bëhet në mënyrë ligjore dhe se tani vetëm janë vendos kornizat dhe nuk është bërë asgjë me ndonjë prapavijë ndaj dikujt.

Paraprakisht ai kishte  njoftuar se në adresë të tij kishte shkuar një kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje  që kjo çështje të mos trajtohet në Kuvend, por se kjo nxiti reagimin edhe të disa këshilltarëve pozitë e opozitë, duke thënë se Vetëvendosje nuk është e përfaqësuar në Kuvend dhe nuk mund ajo të diktojë rend të ditës.

Kryesuesi Zeka sqaroi se këtë të dhënë e ofroi për këshilltarë vetëm sa për informacion, ndërkohë që pas debatit vërejtjeve dhe sugjerime që ju bë rregullores së propozuar, ajo kaloi me shumicën e votave të këshilltarëve.

Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, këtë vendim e ka quajtur të mirë, ndërkohë që paraprakisht kishte përmendur edhe disa mangësi që sipas tij duhet hequr. Ai ka thënë se është komuna që e ka të drejtën për të menaxhuar procesin e vendosjes së përmendoreve e askush nuk i pengon nismat qytetare për nisma, derisa sipas Sokol Hazirit, nga AAK-ja, vendimi duhet përkrahur, ngase siç ka thënë ai, dëshmorët nuk janë pronë e askujt, por i takojnë popullit.

Ndryshe nga të tjerët, Sabedin Kadriu, nga PDK, rregulloren e ka cilësuar të papërpunuar mirë, andaj ai ka kërkuar që derisa ajo të mos plotësohet mirë të mos votohet.

Çështje që ka ngjallur debat, ka qenë mundësia e zhvendosjes së përmendoreve aktuale, andaj është kërkuar që zhvendosje të bëhet edhe në harmoni dhe me pëlqimin e familjeve.

Përndryshe, miratimin kësaj rregullore nuk e ka prit mirë Avni Rudaku, nën kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje , Qendra në Gjilan, i cili në cilësinë e mysafirit ka përcjellë ecurinë e punës së seancës së sotme.

Rudaku ka thënë  për Portalin e Lajmeve “2LONLINE”, se Vetëvendosje  kishte kërkuar që Kuvendi të mos merret me këtë  çështje, por Kuvendi i Kosovës, ndërkohë që aprovimin e saj e sheh si tendencë për marrjen e legjitimitetit juridik nga kryetari Qemajl Mustafa për  zhvendosje të përmendores “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”, për t’ia bërë një favor vetes dhe ortakut të tij në biznes…

“Ne kemi kërkuar që të hiqet dorë nga aprovimi i projekt-rregullores së zhvendosjes së shtatoreve/përmendoreve dhe kjo të bëhet dhe rregullohet me një ligj të veçantë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili ligj mund të iniciohet nga deputetët, por edhe nga një kërkesë që mund ta bën Kuvendi i Komunës në Komisionin për ligjet”, ka thënë Rudaku.

Duke iu referuar ecurisë së seancës së sotme, ai tha se sot është parë shumë arrogancë të PDK-së, të kryesuesit Izmi Zeka, kryetarit  Qemajl Mustafa, por edhe të një pjese të opozitës në Kuvendin të Komunës së Gjilanit, të cilët sugjerimin dhe kërkesën e drejtpeshuar me fakte të mjaftueshme të Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përfillën, madje shfaqën një agresivitet të paparë që në Kuvend të diskutohet për një kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk na qenka në Kuvendin Komunal, prandaj ata mund të bëjnë çfarë të donë, edhe atëherë kur bien në kundërshtim me interesin dhe vullnetin e qytetarëve. 

“Në këtë projekt-rregullore e shohim vetëm si intencë e kryetarit të Komunës të marrë legjitimitetin juridik dhe aprovimin e shumicës në Kuvend, në mënyrë që t’ia bëj një favor ortakut të tij në biznes,. Madje, analizoni projekt-rregulloren dhe shihni se si edhe titulli i saj lidhet me zhvendosjen, e jo me vendosjen e përmendoreve”, ka thënë Rudaku.

Rudaku ka kritikuar Mustafën edhe për atë siç thotë “flet në pjesën më të madhe të kohës në Kuvend për t’i bërë presion direkt apo indirekt këshilltarëve të votojnë projekt-rregullore që bien ndesh me interesat dhe vullnetin e përgjithshëm të qytetarëve”. 

Rudaku po ashtu ishte kritik edhe me këshilltarë opozitarë  që sipas tij po flenë në Kuvendin e Gjilanit, derisa tha se nuk i kupton edhe ata këshilltarët që shprehën zemërim dhe arrogancë të paarsyeshme se pse paskemi kërkuar ne Vetëvendosja që të mos votohet kjo  projekt-rregullore, por të rregullohet kjo çështje në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Përndryshe, Kuvendi ka proceduar tutje edhe me pikat tjera të rendit të ditës. Në seancën e sotshme Arianit Sllamniku, ka dhënë betimin e të qenit këshilltar i ri, duke zëvendësuar kështu, Ibrahim Nezirin e PD-së, derisa pritet që në një seancë të radhës të bëhet edhe zëvendësim i Riad Rashitit, i dorëhequr pasi tani është vënë  në krye të një drejtorie komunale.

Këshilltarët kanë miratuar edhe strategjitë për mobilitet dhe ndriçim publik dhe marrjen me qira të hapësirave të Kolegjit “Gjilani” për nevojat e Universitetit Publik, sikurse edhe raportin e komisionit për vlerësimin e aseteve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Higjiena”. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment