Mbikqyrja përmbyllet, veriu mbetet hapur

06.02.2012 (komentet: 0)

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e veriut të vazhdojë të mbetet e hapur edhe pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

I pyetur se kush do të udhëheq me procesin e adresimit të çështjes së veriut nëse ICO e përfundon misionin deri në fund të vitit, zëdhënësi i kësaj zyre, Christian Palme ka thënë se ajo do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

 
“Asnjë akter nuk është përgjegjës për zgjidhjen e përhershme të situatës në veri të Kosovës. Veriu është dhe do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Palme. Ai ka shtuar se derisa Qeveria e Kosovës të përfundojë detyrat e mbetura në CSP (Propozimin Gjithepërfshirës për Statusin) edhe ICO-ja i afrohet fundit të mbikqyrjes së pavarësisë në Kosovë.

“Siç është theksuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues pas takimit në Vjenë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pritet që të vazhdojnë të këshillojnë Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai. 

“ Sa u përket komunave të reja Mitrovicë/Mitrovicë Veriore janë ndërmarrë shumica e masave – Qeveria e Kosovës tani u jep më shumë shërbime qytetarëve të veriut të Kosovës se më parë. Për shembull para 18 muajsh nuk kishte zyrë të Qeverisë së Kosovës në veri, tani janë 7 zyra funksionale. Para 18 muajsh nuk kishte asnjë aplikues për dokumente të Kosovës. Tani janë më shumë se 8000”, ka thënë ai. 

Sipas Palmes, përderisa më 2010, MPT-ja që punon drejtëpërdrejt me qytetarë të në veri të Mitrovicës kishte sponsorizuar vetëm një projekt të infrastrukturës, vitin e kaluar i kanë kompletuar 8 të tilla.

ICO-ja konsideron që krerët e komunave ilegale të veriut nuk mund ta mbajnë peng Kosovën, ndërsa nga Qeveria në Prishtinë pret që të jetë më aktive në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të vendit./koha/

Kthehu mbrapa

Shto koment