Lidhja Demokratike e Kosovës e shqetësuar?
20.02.2012 (komentet: 0)
Përmes një kumtese për media, LDK ka shprehur shqetësimin për këtë, duke thënë se një qëndrim i tillë betonon neutralitetin ndaj statusit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës merr me shqetësim lajmin për kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por në vend të kësaj të shtohet një fusnotë, e cila i referohet edhe Rezolutës 1244. LDK-ja beson fuqishëm se një qëndrim i tillë përfundimisht betonon neutralitetin ndaj statusit", thuhet në kumtesën për media të LDK-së.
"Kryeminstri Thaçi mundohet të manipulojë opinionin, duke theksuar se Kosova në të njëjtën kohë do të përfaqësohet me një fusnotë që përveç Rezolutës 1244 i referohet edhe në Mendimit Këshilldhënës të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetë pranimi që Kosova të paraqitet pa ‘Republikë’ dhe me fusnotë (me çfarëdo përmbajtje qoftë ajo) paraqet denigrim të pozitës kushtetuese të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera", thuhet më tej në komunikatë.
LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë dhe, sipas tyre, ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Partia e Isa Mustafës vlerëson se ndërsa kompromisi, që është në dëm të Kosovës, po bëhet pikërisht për shkak se Serbia nuk pranonte të qëndronte në të njëjtat salla ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.
"Kryeministri Thaci, rreth dy javë më parë, pati thënë se kurrë nuk do të heqë dorë nga përfaqësimi si ‘Republikë’, ndërkaq tani e konsideron përfaqësimin në këtë nivel si një ‘formulë dhe simbolikë të parëndësishme’. LDK-ja ia rikujton z.Thaçi se pikërisht për këtë Republikë, që ai e quan simbolikë të parëndësishme, populli i Kosovës sakrifikoi me shekuj. Prandaj, ne e kundërshtojmë çdo lloj përfaqësimi ndryshe nga ai që është i paraparë në Kushtetutën e vendit".
"Ne mendojmë se agjenda evropiane e Kosovës nuk shtyhet përpara duke bërë kompromise në dëm të shtetësisë, por duke plotësuar kushtet e nevojshme për këtë proces, që ndër të tjera përfshin luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit", thuhet ne reagim.
LDK thotë se gjatë kohës sa politika e jashtme udhëhiqej nga kjo parti, Kosova ishte e barabartë në forumet rajonale dhe europiane sipas modelit të quajtur “Gymnich.
"Përkundër presioneve të mëdha, LDK-ja asnjëherë nuk ka pranuar që Kosova të paraqitej me fusnotë apo e pabarabartë me pjesëmarrësit e tjerë. Pjesëmarrja me këtë model krijon precedent të rrezikshëm, meqë kjo mund të rezultojë me përfaqësim të Kosovës me fusnotë edhe në forume të tjera të niveleve më të gjera dhe më të larta"
Partia më e madhe opozitare konstaton se kjo do të ketë efekte negative në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, meqë, me këtë qëndrim, edhe vetë Kosova e pranon se nuk është anëtare e barabartë me shtetet e tjera.


Shto koment