Liderët u takuan pa Kurtin
28.01.2012 (komentet: 0)
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një nga restorantet e kryeqytetit, ka takuar të premten pasdite liderët e të gjitha partive parlamentare, të cilët i ka njoftuar me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të shpallur të përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë në fund të këtij viti, nëse shënohet progres në veri të vendit.
Në këtë takim ka munguar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërkohë që kryeministri tha se kanë qenë të ftuar të gjithë drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, pa përjashtim.
Mirëpo menjëherë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Kryeministria. Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, ka thënë se Vetëvendosje preferon takimet në institucione. Megjithëkëtë, sipas tij ky subjekt politik nuk është njoftuar fare për takimin e sotëm, ku thuhet se ishte e ftuar edhe Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, lideri i partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Isa Mustafa, dhe liderët tjerë të partive parlamentare, kanë mirëpritur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, duke premtuar mbështetjen e proceseve që çojnë drejt implementimit të plotë të Pakos së Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës, dhe përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrura. /Telegrafi/


Shto koment