Lëvizja e radhës, protesta e tretë
25.01.2012 (komentet: 0)
.
Kurti ka thënë se nuk është takuar me Thaçin, me Berishën po, por nuk ka biseduar.
“Nuk jam takuar me Thaçin, kemi biseduar vetëm në Kuvend, ku ai lëshoi një lumë fyerjesh ndaj nesh. Nuk është e mundur të komunikojmë me të pasi ai na konsideroi ne armiq më të tmerrshëm se Serbinë”, tha Kurti gjatë intervistës.
Më tej ai dha edhe kritika për qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë. “Qëndrimi i qeverisë shqiptare nuk ishte i drejtë, mbajtën ritmin e qeverisë së Kosovës. Të gjithë ata që flasin keq për ne, vetë do ta pësojnë në fund, pasi na portretizuan në mënyrë jo të drejtë. Me Berishën jemi takuar me 28 nëntor në Presidencë, por nuk kemi biseduar”, ka thënë Kurti.
Ai ka kërkuar drejtësi për ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri. “Duhet të vazhdojnë hetimet për ngjarjet e 21 janarit për të vënë në vend drejtësinë në Shqipëri. Në Kosovë sistemi i drejtësisë lë shumë për të dëshirua, sepse ka aq shumë padrejtësi, por jam optimist që kjo do të ndryshojë”, ka thënë Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes është shprehur i bindur se do ta merr primatin e partisë më të votuar në zgjedhjet e ardhshme, duke e mundur kështu edhe partinë e kryeministrit Thaçi, PDK.
“Ndonëse është votuar (Thaçi) më shumë se ne, nuk do të ndodhë kështu në zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Kurti.
Udhëheqësi Kurti nuk la pa përmendur edhe idenë e tij tashmë të ditur, bashkimin kombëtar. Ai tha se vendet tona duhet t’i shmangin tragjeditë, e ato t’i zhvendosim në Serbi e Greqi.
“Nëse duam të shmangim tragjeditë duhet ta zhvendosim tensionin në Serbi, Greqi e me radhë. Na duhet një bashkim kombëtar”, nënvizoi Kurti.
I pyetur nëse do të takohej edhe ai me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, Kurti tha se kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Ndërkaq, duke u ndalur sërish tek çështja e bashkimit kombëtar, gazetarja Tare e pyet Kurtin se cili do të jetë kryeqyteti nëse bashkohet Kosova me Shqipërinë, e Kurti mendon se do të jetë Tirana, por, sipas tij, “nuk është kjo çështja”.
Dhe, pas vendimit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zbatimin e reciprocitetit , dhe pas mbajtjes së dy protestave, që sipas Kurtit ishin të suksesshme, për lëvizjen që ai drejton, “lëvizja e radhës është protesta e tretë”. /zëri/


Shto koment