Kosova e meritonte lirinë
16.02.2012 (komentet: 0)
Duke rikujtuar 17 shkurtin e katër vjetëve më parë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerësoi si aktin historik, me të cilin u sublimuan ëndrrat dhe sakrificat qindvjeçare të brezave. Pavarësia, shteti i ri i Kosovës, një ideal i vjetër, tha Krasniqi, përmbledhin në vete një histori të lavdishme. Kjo është dita e nderimit dhe kujtimit për të gjithë ata që patën mençurinë e guximin t’i dalin përpara historisë dhe të na sjellin këtu. Kosova e meritonte lirinë, sepse vuajti shumë e sakrifikoi shumë për të, shtoi kryeparlamentari. Duke rikujtuar vonesën historike, ai theksoi domosdonë e shpejtimit të hapit, meqë “nuk kemi kohë për të humbur” po deshëm arritjen në cakun e synuar dhe me këtë vështrim përmendi familjen europiane, të cilës “i përkasim gjeografikisht, politikisht e me kulturën”.
Presdientja e Kosovës, Atifete Jahjaga rikujtoi se Kosova e pavarur u shndërrua në faktor paqeje e stabiliteti në rajon, dhe kjo në përvjetorin e katërt të këtij akti historik “na bën krenarë, të ndjehemi mirë para popullit dhe miqve ndërkombëtar”, siç u shpreh ajo. Ajo përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, si dy figura emblematike, simbole të kësaj lirie dhe udhërrëfyes për të ardhmen.
“Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar, përfaqësohet dhe do të përfaqësohet e barabartë me reciprocitet të plotë, proceset nuk kthehen mbrapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar”, tha Jahjaga.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi nuk harroi t’i përmendë këto dy personalitete, duke shtuar se Kosova përbën një tregim sukses, qoftë për përpjekjet e sakrificat e atyre që derdhën gjakun për këtë ditë, ashtu edhe për miqtë ndërkombëtarë. Ai përmendi sukseset në ndërtimin institucional të shtetit, zhvillimin ekonomik e shoqëror. Duke përmendur 87 vende të botës që kanë njohur Kosovën, ai shtoi se Kosova e meritonte lirinë dhe se kjo është atdheu i të gjithë atyre që jetojnë në të, sepse të gjithë kontribuuan për lindjen e tij.


Shto koment