Jahjaga shpall zero tolerancë ndaj korrupsionit

15.02.2012 (komentet: 0)

Prishtinë, 15 shkurt - E organizuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, u mbajt sot mbledhja inauguruese e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, një trup i paralajmëruar që nga vizita e saj javë më parë në SHBA

 Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi, kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, ministra dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë - përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel Zhbogar, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë.

Në fjalën e saj inauguruese të këtij mekanizmi kundër korrupsionit, presidentja Jahjaga u shpreh e vendosur për zero tolerancë ndaj këtij fenomeni kanceroz, që po dëmton prestigjin dhe po shkakton ngecje në proceset demokratike e eurointegruese të vendit. 

Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit  e kam themeluar me dekret të veçantë duke përcaktuar edhe anëtarët, edhe qëllimet edhe mënyrën e punës, tha në fillim ajo, duke shtuar se “këtu ne të gjithë do të kontribuojmë, do të propozojmë zgjidhje afatgjata dhe afatshkurta, dhe do të ndërtojmë politika për luftimin efikas të korrupsionit”.

Presidentja tha se kryeparlamentari  e kryeministri janë këtu vetëm sot, në pjesën e parë të këtij takimi, të tregojmë unitetin institucional, të shprehim përkushtimin se të gjithë së bashku, dhe në kuadër të fushëveprimeve tona kushtetuese dhe ligjore, jemi të vendosur të çrrënjosim korrupsionin, këtë të keqe, që po kërcënon të përfshijë të gjitha segmentet e shoqërisë dhe të na rrezikojë në rrugën e integrimeve tona evropiane.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk është trup ekzekutiv dhe nuk ka rol të tillë, por ju anëtarët që jeni këtu, ju drejtuesit e këtyre institucioneve, që të gjithë keni rol ekzekutiv, rol mbështetës dhe, në një farë forme, kur është fjala për shoqërinë civile, rol vëzhgues e monitorues, e komisionet parlamentare edhe rol mbikëqyrës, rikujtoi ajo. 

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit është një nismë dhe një mekanizëm i autoritetshëm, i nevojshëm krahas të gjithë mekanizmave të deritashëm ekzistues.

Siç ka thënë ajo, ky Këshill ka për synim informimin e shpejtë dhe të rregullt ndërinstitucional, harmonizimin dhe koordinimin e punëve, mandej nxjerrjen e raporteve të rregullta periodike nëpërmjet të cilave maten rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit.

“Unë, si Presidente e vendit, do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitet dhe efektivitetin e punës së institucioneve, të shoqërisë civile, të mediave dhe të çdo qytetari, për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit.

E kam vullnetin dhe përkushtimin që punët t’i çoj deri në fund - nuk do të ndalem përpara asnjë sakrifice dhe nuk do të kursehem nga asgjë”, u shpreh zonja Jahjaga. 

“Qytetarët presin që të qeverisim me duar të pastra. Qytetarët presin që plotësisht ta realizojmë parimin askush mbi ligjin. Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka qenë e vendosur Presidentja, e bindur po ashtu se “Betejën kundër korrupsionit do ta fitojmë, nuk kemi alternativë tjetër”.

Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur përfundimisht do të jetë vend i rendit dhe i sundimit të Ligjit, tha ajo në fund. 

Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi janë shprehur për një luftë të pakomproimis të kësaj dukurie negative në shoqërinë kosovare.

Kthehu mbrapa

Shto koment