Industria e Baterive në Gjilan shitet për 3.2 milionë euro
30.01.2012 (komentet: 0)
Krahas saj, vlera e përgjithshme e arkëtuar nga vala e 52-të e privatizimit, është shtuar nga shitja e hotelit “Besiana” në Podujevë, që mori ofertë prej 1 milion e 19 mijë eurove. Ndërmarrjet e tjera të privatizuara në këtë valë nuk arritën të merrnin oferta prej miliona eurove.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar të mërkurën se nga shitja e 17 ndërmarrjeve të reja me spin-off të rregullt janë arkëtuar 5 milionë e 573 mijë euro. Për të njëjtat ndërmarrje, AKP-ja ka pranuar 33 oferta në komisionin e hapjes dhe vlerësimit, të përbërë nga stafi i AKP-së, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe ata Odës së Avokatëve.
“Deri më tani, agjencia ka shpallur 51 valë të privatizimit, ka privatizuar mbi 300 ndërmarrje shoqërore nga të cilat janë krijuar 676 ndërmarrje të reja”, thuhet në AKP.
Në shitjen përmes likuidimit, deri më tani janë mbajtur 9 valë të tenderëve dhe janë tenderuar 211 asete të ndërmarrjeve shoqërore. Në fondet e mirëbesimit janë grumbulluar mbi 580 milionë euro, prej të cilave nga privatizimi janë grumbulluar 537 milionë, ndërsa nga likuidimi me shitje të aseteve 43 milionë euro. Agjencia Kosovare e Privatizimit vlerëson se ka arritur suksese edhe në shpërndarje të 20-përqindëshit për punëtorët. Deri më tani kjo agjenci ka shpërndarë 45 milionë euro për 26 mijë punëtorë. Sipas njoftimeve të AKP-së brenda muajit tetor pritet të aprovohen edhe shtatë listat e mbetura të 20- përqindëshit nga ndërmarrjet e privatizuara më parë. /koha/


Shto koment