Harrohet Prekazi
23.01.2012 (komentet: 0)
Ndërkaq, në Kullën e Jasharëve në Prekaz, Rifat Jashari ka pritur miq të familjes dhe qytetarë, të cilët nuk e kishin harruar ngjarjen që kishte rezultuar me plagosjen e dy vajzave të familjes Jashari, Selvetes dhe Ilirianës, njofton Radio Dukagjini.
Atë ditë, do të thotë më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa, shkruan Zëri.
“Sulmi ka ndodhur në syfyr, ka qenë muaji i Ramazanit. Është sulmuar kulla me të gjitha llojet e armëve. Kundërpërgjigjja nga Shabani e Hamza si dhe nga nipat e mbesat e Shabanit ka qenë e madhe, kështu që forcat serbe janë tërhequr. Megjithatë, patën mbetur të plagosura Iliriana e Rifatit dhe Selvetja e Hamzës”, kujton Rifat Bejta, zyrtar në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Sipas tij, vetëm pak orë pasi që sulmi ishte zmbrapsur, shumë qytetarë kishin mësyrë Prekazin, e nuk mungonin as liderë të partive politike shqiptare, sidomos të LDK-së, Fehmi Agani, Fatmir Sejdiu, Hidajet Hyseni, e të tjerë, të cilët ishin pritur në kullë nga vetë Shaban Jashari.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin.
Këtij sulmi i kishte shpëtuar Iliriana, e cila ndodhej në Akrashticë të Vushtrrisë. Ajo ishte e fejuar e më pastaj është martuar në Açarevë të Skënderajt, me Asllan Selimin, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, e vëlla i Rexhep Selimit.
/Info-sot/


Shto koment