Gashi: LDK s’ka lidhje me gjeografi
25.01.2012 (komentet: 0)
Sipas kësaj partie, Gashi ka thënë se de fakto Kosova është njohur nga San Tomeo, një shtet ky që nuk ekziston. Duket se Gashi “San Tomeo” e ka quajtur shtetin Sao Tome dhe Principe, një vend ky për të cilin është thënë se e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kosova së shpejti do të njihet nga Sao Tome dhe Principe. Do të ishte mirë sikur, kjo njohje do të vinte në kohën kur LDK drejtonte Ministrinë e Jashtme, por fatkeqësisht janë njerëzit e LDK-së që nuk e dinin dhe si duket ende nuk e dinë që ekziston ky shtet”, ka thënë Gashi, përmes një reagimi dërguar gazetës “Express”.
Sao Tome dhe Principe është pavarësuar më 12 qershor 1975, derisa anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara është bërë me datën 16 shtator 1975.
“Është mirë që LDK të jap ndonjë kontribut sa është në opozitë në procesin e njohjeve, ashtu siç kemi bërë ne kur kemi qenë në opozitë”, thotë Gashi në deklaratën e tij.
***
LDK: MPJ i referohet njohjes nga një shtet joekzistent
Gjatë debatit në emisionin “10 minuta” të RTK-së të datës 23 janar 2012, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, disa herë i referohej njohjes sipas tij “de facto” nga shteti San Tomeo.
Sipas LDK-së, është joserioze që udhëheqës të lartë të politikës së jashtme të Kosovës të mos kenë as njohuri bazike për punën të cilën ata e bëjnë, përfshirë emrat e shteteve të cilat e kanë apo nuk e kanë njohur Kosovën.
“San Tomeo nuk ekziston si shtet dhe as si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, është e pamundur që Kosova të njihet nga një shtet joekzistent”, kritikon LDK.
Për më tepër, sipas LDK-së, në buletinin e dytë të MPJ-së të titulluar “Kosovo’s New Diplomat” në faqen 2, publikohen zyrtarisht emrat e gjithë të propozuarve për ambasadorë të rinj.
“Publikimi zyrtar nga MPJ i këtyre emrave përbën shkelje të procedurave të emërimit të tyre, sepse nuk respektohet parimi i konfidencialitetit (Neni 7.2, 7.3, te Ligjit Nr. 03/ L-207), sipas të cilit emrat e të propozuarve nuk publikohen deri në marrjen e agremanit nga shteti pranues”, vlerëson LDK.
Me këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje edhe një herë MPJ-së dhe Qeverisë që t’i ndalë gafat diplomatike dhe publikimin e emrave të shteteve që kanë dhënë sinjale pozitive për njohje.
“Praktika ka dëshmuar se çdoherë kur janë publikuar emrat e shteteve që kanë synuar njohjen e Kosovës së shpejti, kjo ka ndikuar në mobilizimin e menjëhershëm të diplomacisë serbe dhe të miqve të saj për ta parandaluar atë njohje. Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i respektojë ligjet e aplikueshme për emërimin e ambasadorëve të rinj, si dhe t’i respektojë praktikat diplomatike për këtë proces”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Kjo sjellje e Qeverisë, sipas LDK-së, e dëmton rëndë interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. /Zëri/


Shto koment