Fshatit Kokaj i kthehet jeta e gjallëria

06.10.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Në fshatin Kokaj ka filluar meremetimi i rrugës- trases Kokaj – Llovce e cila pritet edhe të shtrohet me zhavorr si dhe po bëhet rregullimi i rrethojës së varrezave të lagjes së epërme të Kokajve. Ka filluar meremetimi dhe rregullimi i trases së rrugës Kokaj – Llovce, ku ka filluar së shtruari një pjesë e mirë e rrugës me vetë kontributin e qytetarëve të Kokajve, ndonëse tashmë ishte e degraduar totalisht.


Komuna e Gjilanit për herë të parë ia shtriu dorën banorëve të saj për t’iu ofruar kushte që ata banorë të mbetur si edhe ata që duan të jetojnë ta kenë më lehtë për të jetuar në vendbanimin e tyre.

Rruga është e gjatë rreth 3 km e gjysmë kanë njoftuar banorët e Kokajve, të shtunën, e cila udhë lidhet edhe me vendbanimet tjera, Ranatoc, Magjeri Ilinc. Sipas zyrtarëve komunal rruga do të shtrohet edhe me zhavor në një shtresë të mjaftueshme që mos të kenë vështirësi të mëtutjeshme.

Këto ditë kanë përfunduar me Iniciativa dhe kontributet e fshatarëve edhe rregullimi dhe thurja e varrezave të Kokajve , ku kontribut dhanë , Haxhi Haziri me fëmijët, Egzonin dhe Liridonin, si dhe banorët tjerë Adnani, Graniti, Miftari, Emrushi, Qemaili, Xhema, e tjerë.

Banorë të katundit Kokaj të Gjilanit, të cilët janë afër kufirit me Serbinë, janë shprehur të vendosur që të qëndrojnë në pronat e tyre. Ata janë të kënaqur me përkrahjen më të madhe të institucioneve lokale e qendrore dhe investime, si: në përfundimin e rrugës Llocë-Kokaj, deri te pika kufitare me Serbinë e cila ditëve të fundit. 

Pos arritjes së sinjalit të telefonisë celulare, uji është me rënie të lirë dhe instaluar në shumicën e shtëpive që janë për banim apo mund të rinovohen me pak investime, si dhe pjesa më e madh e rrugës që të shpie atje është e pritur për tu shtruar me asfalt, madje është rritur edhe çmimi i tokës dhe i shtëpive, ndërsa janë shtuar ata që duan të kenë të bërë një vend strehëve të atyre çative në atë katundin malor-kodrinor. 

Katundi Kokaj përbëhet prej tri lagjeve të ndara njëra nga tjetra, e ato janë: Mahalla e Poshtme, Mahalla e Epërme dhe në mes tyre shtrihet Gurina, shprehet ish banori i Kokajve, Nijazi Ramadani. 

Kokajt sipas regjistrimit të parë që është bërë në vitin 1948 ka pasur 250 banorë, në vitin 1953 ka pasur 289 banorë, në vitin 1961, 342, në vitin 1971, 386 ndërsa në vitin 1981, 376 banorë. 

Nga viti 1981 e këndej ka pasur vazhdimisht zvogëlim të popullsisë si pasojë e emigrimit të banorëve në drejtim të qendrës komunale së Gjilanit . Ramje të numrit të popullsisë ka shkaktuar lufta e fundit kur nga ky fshat u shpërngulën shumica e popullsisë si pasoj e pasigurisë. Në vitin 1999 paramilitarët serb kanë masakruar disa banorë të këtij katundi. Sot në këtë fshat jetojnë vetëm pesë familje me rreth 30 banorë.

Katundi Kokaj shtrihet në juglindje të Gjilanit në gjerësinë gjeografike gjatësisë gjeografike lindore dhe lartësi mbidetare 565 m lagjja e Poshtme dhe 643m lagjja e Epërme. 

Si vendbanim është krijuar para dy shekujve kur banorët e parë erdhën nga vendbanimi i Sanxhakut të Toplicës, vendbanimi Klaiq. Katundi Kokaj përbëhet prej tri lagjeve të ndara njëra nga tjetra, e ato janë: Mëhalla e Poshtme, Mëhalla e Epërme dhe në mes tyre shtrihet Gurina, ku edhe është shkolla e katundit e ndërtuar në vitn 1967, me iniciativën e plakut Nezir Haliti. 

Banorët gjegjësisht të rinjtë e katundit Kokaj përveç disa të rinjve që ishin shkolluar në mejtepet e Preshevës më vonë në xhaminë e përbashkët të ndërtuar në vitin 1930 pran lumit Sllubica, të tjerët nuk patën fat të shkollohen deri pas Luftë së dytë Botrore kur në katundin Locë u hap shkolla fillore. Deri në vitin 1967 vijuan shkollën fillore të ulët shumë gjenerata, të cilat vazhdonin shkollimin në Pogragjë. 

E kaluara e katundit Kokaj rrjedh nga Klaiqi prej nga ishin ardhur banorët e katundi Kokaj, kufizohej me lagjet dhe vendbanimet e dikurshme shqiptare si: Gërgurovci, Bajra, Poroshtica, Llapashtica etj. 

Nga ky vendbanim e kanë prejardhjen banorët e katundit Kokaj në Karadak, mandej banorët e lagjes Klaiq të qytetit të Gjilanit, (të cilit ende i kanë pronat e tyre në Klaiq të nacionalizuara pas Luftës së Dytë Botërore) muhaxhirët e katundit Kokaj gjegjësisht një lagje e katundit Ranatoc i cili ndodhet në Malet e Karadakut komuna e Preshevës. Vendbanimi Kokaj në mes të Gjilanit dhe Preshevës, vendbanim ky që pas vendosjes së pushtimit të Mbretërisë SKS njihet edhe me emrin, Inatovc. 

Mirëpo, banorët e Kokajve dhe rrethina kurrë nuk e kanë njohur me këtë emër, sepse është emër i imponuar me pushtimin e këtyre trojeve nga ushtria serbe në vitin 1912.

Xhamia e fshat që shtrihet buzë kufirit që ndan Kosovën - (Luginën e Preshevës) dhe Serbinë është ndërtuar në vitin 1930/35. 

Duke parë këtë gjendje të mjerueshme të xhamisë, Jusuf ef. Mustafa (Kokaj), veprimtar i shquar për aktivitete fetare e kombëtare mori iniciativën që kjo gjendje të ndryshojë në të mirë të xhamisë. 

Synimi i tij, sikur edhe i xhematlive të kësaj xhamie ishte që kjo xhami përsëri të jetë aktive dhe të jetë në shërbim të atyre pak besimtarëve të mbetur në këto troje. Meqenëse mulla Jusufi edhe vet më parë kishte jetuar në katundin Kokaj, ku gravitonte si xhematli i kësaj xhamie, për te sikur edhe për bashkëvendësit tjerë ishte motiv më i madh që të ndërmerrte një hap të tillë. 

Sipas Fjalëve të Jusuf ef. Mustafës,(tashmë imam i kësaj Xhamie) kostoja e renovimit të xhamisë ishte rreth 10.000 euro, ku ndihmë të madhe dhanë banorët e Sllubicës, ata të katundit Kokaj si dhe banorët e fshatrave Ranatoc dhe Maxhere të Komunës së Preshevës, ku kontribut të veçantë dhanë besimtarët si: Vaxhid Haliti, Rrahman Latifi, Sabit Zahiri, Rexhep Sylejmani, haxhi Hazir Ramadani, si edhe vetë Jusuf ef.Mustafa, i cili momentalisht ushtron edhe detyrën e imamit të xhamisë në mënyrë vullnetare. /nijaziramadani/rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment