Dëshmitarja rrëfeu vrasjen e djegien e shqiptarëve në Qyshk
22.02.2012 (komentet: 0)
Ajshe Kelmendi, një shtëpiake nga fshati Qyshk, e cila humbi bashkëshortin dhe djalin e saj gjatë sulmit të forcave serbe më 1999, tha se "Çakejtë" e rrethuan fshatin dhe i mblodhën të gjithë banorët në sheshin në qendër të fshatit dhe i ndanë gratë nga burrat.
"Na detyruan t'i hidhnim të gjitha gjërat tona në tokë dokumentet, paratë dhe stolitë dhe t'i vinim duart prapa kokës. Na ndanë në dy rreshta, një për gratë dhe fëmijët, dhe një tjetër për burrat", tha Kelmendi.
"Gratë i çuan në oborrin e njërës prej shtëpive, ndërsa burrat i çuan nëpër dhoma. I qëlluan në shpinë dhe pastaj ua vunë zjarr trupave dhe shtëpive", dëshmoi Kelmendi.
Sipas aktpadisë, grupi paramilitar serb "Çakejtë" vranë 43 civilë shqiptarë, midis tyre bashkëshortin dhe djalin e Kelmendit, gjatë sulmit në fshatin Qyshk, afër Pejës.
Aktakuza thotë se arsyeja për sulmin e "Çakejve" është fakti se fshati Qyshk është vendi i origjinës i Agim Çekut, ish kryeministrit të Kosovës dhe një ndër udhëheqësit e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës. Babai i tij, Hasan Çeku, u vra gjatë sulmit dhe shtëpia e familjes Çeku u dogj.
Tahir Kajnezir, ish mësues dhe banor në Qyshk, dëshmoi gjatë gjyqit se ushtarët e pyetën grupin e burrave për vendndodhjen e shtëpise së Çekut.
"Ndërsa ishim arrestuar në një nga shtëpitë, një ushtar erdhi dhe na pyeti se ku ishte shtëpia e Çekut. Kur mori përgjigjen, disa ushtarë u larguan, ndërsa disa prej tyre ndenjën me ne", tha Kajnezir.
"Pas pak, dikush i thirri ushtarët me radio Motorola dhe dëgjova një zë që tha: "A e mbarove punën"; Një ushtar tha "po", dhe pastaj mori urdhrin: 'Lëreni shtëpinë dhe lëvizni', dëshmoi Kajnezir.
"Ushtarët pastaj na thanë të largoheshim nga fshati, të shkonim ku të donim, në Shqipëri. Pastaj të gjithë u larguan", shpjegoi Kajnezir.
Sipas aktpadisë, pas sulmit, më shumë se 400 fshatarë, duke përfshirë gra, fëmijë, dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre. Para konfliktit, Qyshku kishte rreth 2000 banorë, shumica me etni shqiptare, transmeton QIK-u njoftimin e "Ballkaninsinght".


Shto koment