Cooper sot n'Prishtinë
31.01.2012 (komentet: 0)
Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën “Koha Ditore”, se lehtësuesi po i diskuton dy apo tri versione të mundshme të fusnotës që do të ketë Kosova në prezantimet regjionale, e të cilat do të ishin më të pranueshme për Serbinë.
Sipas të njëjtave burime, Serbia nuk ka hequr dorë nga disa alternativa të përmbajtjes së fusnotës, që sipas interpretimit të Beogradit nuk do të nënkuptonin drejtpërdrejtë që Serbia ka hequr dorë nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së.
Gazeta ka raportuar se si në draftkonkluzionin e përgatitur nga lehtësuesi Cooper palët janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet nëpër nisma rajonale pa emrin republikë dhe me një fusnotë. Vetëm në këtë mënyrë, shteti i ri nuk do të pengohet nga Serbia që të nënshkruajë marrëveshje, të jetë pjesë e iniciativave dhe e takimeve rajonale.
Palët tash po konsultohen vetëm për përmbajtjen e fusnotës, e cila duhet të potencojë se nuk gjykohet pozicioni i shteteve karshi statusit të Kosovës.
Marrëveshja që planifikuar që të nënshkruhej qysh në fillim të muajit shkurt, por bora e madhe në Prishtinë i ka pamundësuar ndërmjetësit Cooper një vizitë në Kosovë ditë më parë. Krahas borës, konsultimet e fundit i kanë vështirësuar edhe disa propozime për përmbajtjen e fusnotës të bëra nga kreu i delegacionit serb, Borislav Stefanovic.


Shto koment