Cliff: Britania ka qenë kundër që Kosova të mbështetet në Rezolutën 1244

22.02.2012 (komentet: 0)

DIPLOMATI BRITANIK NË KRUSHË TË MADHE KOMENTON KOMPROMISIN E QEVERISE. Britania ka qenë njëra nga shtetet e cila në BE ka pasur qëndrimin e vet që t’i ndihmojë Kosovës të qëndrojë si shtet i pavarur në këmbë të veta dhe jo të mbështetet në Rezolutën 1244, ka thënë ambasadori Cliff.

RAHOVEC, 21 SHKURT - Britania ka qenë njëra nga shtetet e cila në Bashkimin Evropian ka pasur qëndrimin e vet që t’i ndihmojë Kosovës të qëndrojë si shtet i pavarur në këmbë të veta dhe jo të mbështetet në Rezolutën 1244, ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Cliff, kur është pyetur lidhur me kompromisin e pranuar të Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen me Serbinë. Cliff ka komentuar kompromisin e pranuar të Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen me Serbinë gjatë vizitës që i bëri kooperativës bujqësore “Krusha” në Krushë të Madhe të Rahovecit, të martën, ndonëse ka thënëse ka ardhur për të parë nga afër kooperativën dhe se nuk dëshiron të flasë për çështje politike këtu.

Megjithatë, ai ka shtuar se është koha për shtetësi, dhe se balanca mes Rezolutës 1244 dhe Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, sipas tij, është një balancë e mirë, tani për tani. “Ajo që është me rëndësi për Kosovën, është që marrëveshja duhet të arrihet me dialog për prezantimin rajonal. Kështu, ne si miq tuaj mund ta shfrytëzojmë atë formulë me qëllim që të sigurojmë tregun dhe raportet tjera me Unionin Evropian”, ka pohuar ambasadori Cliff, për të shtuar se ky është çmimi i madh që i bëni Kosovës, drejt rrugës së perspektivës evropiane. 

Cliff shpreson se marrëveshja mund të arrihet. ”Me rëndësi është që të gjitha partitë politike ta mbajnë këtë si çështje kombëtare dhe jo si çështje partiake. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur”, është shprehur ambasadori Cliff, teksa atë në këtë vizitë e shoqëronte kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, me stafin e tij. Ndërsa kreu komunal ka thënë se nuk është e domosdoshme me pasë të njëjtin qëndrim me ambasadorin e Britanisë.

“Kosova është duke kaluar nëpër faza jashtëzakonisht të rënda, nëpër procese sfiduese politike. Ne jemi të interesuar të pushojë së funksionuari apo të zhvlerësohet krejtësisht Rezoluta 1244, ngase mendojmë se është pengesë e vazhdueshme në rrugëtimin e Kosovës”, ka potencuar kryetari Latifi. Ai ka shtuar se si shtet demokratik,Kosova ka nevojë për forcimin e institucioneve, për zbatimin e ligjeve dhe progres të gjithëmbarshëm. ”Formulat të cilat po ofrohen dhe sfidojnë Kosovën nuk do të thotë se janë të dobishme dhe nuk do të thotë që nuk i shkaktojnë pengesa në vazhdimësi Kosovës. Bie fjala Rezoluta 1244, në momentin kur Kosova është shpallur shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm, ka qenë dhe mbetet pengesë e vazhdueshme në rrugëtimin normal të Kosovës si shtet sovran dhe demokratik”, ka potencuar kreu i Rahovecit.

Qëllimi i vizitës së diplomatit nga Britania e Madhe, në Krushë të Madhe, ishte dhurimi i një gjeneratori për kooperativën bujqësore “Krusha”,e cila merret me konservimin e specave dhe ajvarit të shtëpisë. Falënderime për këtë dhuratë atij i kanë adresuar, kryetari i Komunës, Smajl Latifi, drejtoresha ekzekutive e kooperativës, Pranvera Spahiu, si dhe kryetari i fshatit, Kadri Dellova. Sipas Pranvera Spahiut, kjo ndihmë ka ardhur në momentin e duhur, meqë punëtoret e kësaj organizate përballen me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike, e që është bërë pengesë për një proces normal të përpunimit të perimeve. 

Kthehu mbrapa

Shto koment