“Bashkohu” paralajmëron Isa Mustafen

12.02.2012 (komentet: 0)

Lëvizja “Bashkohu” nuk është pajtuar me vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, në qendër të Prishtinës. Edhe pse Komuna e Prishtinës, si lokacion për ndërtimin e xhamisë kishte caktuar parkingun e PTK-së, me një gjë të tillë nuk është pajtuar Lëvizja “Bashkohu”.

Për më tepër, kjo lëvizje ka kërcënuar komunarët e Prishtinës, duke paralajmëruar për organizime të reja. Lëvizja “Bashkohu “ i falënderon të gjithë besimtarët myslimanë të cilët kanë dhanë kontribut praktik në protestat tona në mbështetje të kërkesës për sigurimin e hapësirës për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës, thuhet në një kumtesë të kësaj lëvizjeje.

Sipas këtij njoftimi, vendimi i këshillit të drejtorëve është i papranueshëm për këtë lëvizje. “Ne i mbesim besnik kërkesës së xhematit të myslimanëve që të sigurohet hapësira për ndërtimin e xhamisë së madhe në qendër të Prishtinës”, thuhet në këtë njoftim.

Kjo lëvizje ka bërë me dije se së shpejti do të dalë me itinerarin e vet për këtë vit të bazuar “në drejtësi, barazi dhe dinjitet, gjithnjë duke iu referuar interesave fetare dhe kombëtare të qytetarëve e jo pushtetarëve të Kosovës”.

Në fund, Lëvizja “Bashkohu” ka ftuar të gjithë besimtarët myslimanë që të jenë të bashkuar rreth lëvizjes “Bashkohu“, “për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat tona si myslimanë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës është pajtuar me vendimin e Komunës së Prishtinës që lokacioni për një xhami të re të jetë tek parkingu i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment