Kurti dëgjon hallet e mërgimtarëve në Gjermani
01.02.2012 (komentet: 0)
Në njoftimin e Vetëvendosjes thuhet se të pranishmit në takim kanë ngritur problemin e mospërfaqësimit të mërgatës shqiptare në institucionet e shtetit të Kosovës, duke sjellë shembuj pozitivë nga rajoni, siç është rasti i mërgatës kroate, që është e përfshirë dhe e përfaqësuar në institucionet e atij shteti.
Një tjetër problem që është diskutuar është mosnjohja e dokumenteve të shtetit të Kosovës prej disa republikave (landeve) gjermane. Përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Gjermani janë shprehur të shqetësuar për detyrimin e pagesës së polisave të sigurimit për automjetet, gjë që e shtrenjton shumë udhëtimin e tyre për në Kosovë.
“Mërgata shqiptare në Gjermani është shprehur fuqishëm kundër heqjes së “Republikë”-s prej emërtimit shtetëror të Kosovës, duke theksuar se i gjithë angazhimi i tyre prej dhjetëra vjetësh ka qenë që Kosova një ditë të jetë Republikë, si të gjitha shtetet e tjera. Po ashtu ata shprehën mbështetjen e saj për të vendosur reciprocitetin me Serbinë, si një marrëdhënie e domosdoshme dhe normale në praktikat ndërkombëtare mes dy shteteve”, thuhet në kumtesë.
Një shqetësim në rritje i mërgatës është edhe siç janë shprehur ata modeli i keq i ekonomisë në Kosovë.
Ndërkaq, në kuadër të kësaj vizite, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka zhvilluar edhe një sërë aktivitetesh tjera. Ai është takuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Republikës Federale Gjermane në Berlin, me të ngarkuarin e MPJ-së për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, zotëri Nikolaus Graf Lambsdorff. Më pas ai mbajtur një ligjëratë në Institutin Evropian të Politikës, IEP në Berlin: 4 vitet e pavarësisë së Kosovës: "Çka ndryshoi, e çka jo?".
Kurti ka zhvilluar edhe një takim pune me Transparency International në Berlin, me Koordinatoren për programet e Evropës Juglindore, Cornelia Abel. Gjithashtu, lideri i VV-së është takuar me deputeten e Bundestagut, Marieluise Beck, njëkohësisht anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, nënkryetare e Partisë së Gjelbër “Bündis 90/Die Grünen” si dhe anëtare e Parlamentit Evropian.
Njëkohësisht, Albin Kurti ka zhvilluar edhe një vizitë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani, dhe takim me ambasadorin Vilson Mirdita, sikurse që ka zhvilluar edhe një vizitë në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, dhe takim me ambasadorin, Valter Ibrahimi. /Zëri/


Shto koment