Vështirësi në komunikacion, shkaktohen 41 aksidente

06.02.2012 (komentet: 0)

Reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor në gjithë Kosovën dhe si pasojë vetëm gjatë 24 orëve janë shkaktuar 41 aksidente në komunikacion.

Zyrtarët policorë tregojnë se rrugët magjistrale janë të kalueshme, por rrugët lokale në disa komuna janë të bllokuara, sikurse është e bllokuar edhe rruga Pejë-Kullë- Rozhaj, rruga për në Rugovë, ajo për në Brezovicë dhe rruga për në Shalë të Bajgorës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur përKosovapress nëpërmjet telefonit se në bazë të informacioneve të drejtorive rajonale të Policisë, rrugët magjistrale janë të kalueshme, mirëpo problem ka në disa rrugë lokale, të cilat janë plotësisht të bllokuara.

Si pasojë e të reshurave të mëdha të borës vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shkaktuar 41 aksidente në komunikacion. Kelani tregon se nga numri i përgjithshëm i aksidenteve nuk ka qenë asnjë me fatalitet, kurse me të lënduar kanë qenë tri raste dhe të tjerat me dëme materiale.

Autoritetet policore rekomandojnë të gjithë ngasësit e veturave që gjatë udhëtimeve të jenë pajisur me mjetet dimërore dhe shpejtësinë ta përshtatin me kushtet atmosferike

Kthehu mbrapa

Shto koment