Në Dukagjinin e ngrirë, ku mbijetohet me misër të zier
11.02.2012 (komentet: 0)
Pa ushqime, pa ilaçe, pa energji elektrike dhe pa telefoni
Ardi Hoti
Tre komunat e Dukagjinit, Pulti, Shoshi dhe Shala, me rreth 8 mijë banorë janë ndër zonat më të goditura nga moti i keq në Veri të Shqipërisë. Pasi kemi ecur me shumë vështirësi për rreth dy orë me makinë, rreth 30 km larg fshatit Kir të Dukagjinit jemi të detyruar të ecim në këmbë. T’i afrohesh zonës së Dukagjinit me makinë në këto ditë të acarta, ku vetëm fati të shpëton nga humnerat, është një aventurë e rrezikshme. Por akoma më i vështirë është udhëtimi në këmbë për t’u takuar me banorët e izoluar të zonës.
Në ndryshim nga temperaturat, mikpritja në këto anë është e ngrohtë. Një nga familjet e izoluara është ajo e Ndok Mirashit, i cili ka shtatë fëmijë. Familja qëndron e izoluar nga pjesa tjetër e botës prej më shumë se dy javësh. Të ftohtët dhe varfëria e kanë gjunjëzuar të zotin e shtëpisë. Ai thotë se mund ta sigurojë bukën për fëmijët edhe për një ditë, dhe siç ndodh rëndom me shqiptarët, fjala bukë nuk nënkupton domosdoshmërish bukën, në këtë rast bëhet fjalë vetëm për misër të zier. I ulur pranë vatrës zë zjarrit me cigaren e fortë të shtrënguar mes gishtave, Ndok Mirashi rrëfen hallet e tij, që në fakt janë të njëjta me ato të bashkëfshatarëve të izoluar:
“Çdo ditë dal në pyll me sëpatë për të siguruar drutë për t’u ngrohur, ndërsa gruaja mundohet të gatuajë ato çfarë na kanë mbetur. Me siguri të them se vetëm për një ditë kam miell për t’u dhënë bukë fëmijëve. Do dal për të lypur te komshinjtë se nuk kam rrugë tjetër, vetëm të vdes së bashku me fëmijët. Kjo vetëm jetë nuk është: pa drita, pa ushqime, pa telefona, pa mjekë, pa rrugë, pa mundësi për të varrosur njerëzit... Askush nuk kujtohet se këtu ka njerëz, asnjë ndihmë... asgjë nuk na ka mbetur. Ja siç e shikoni, zjarri dhe misri i zier janë të vetmet që i kanë mbetur pas shpirtit sot Dukagjinit.”
Djali 20-vjeçar i shtëpisë, Pjetër Mirashi, larg çdo ëndrre të bashkëmoshatarëve të tij kërkon vetëm bukë. “Unë sot jam djalë i ri, por dita ime kalon vetëm duke shtypur misër për ta zier. Mendoj vetëm si të ushqehem dhe si të mund të siguroj bukë për motrat dhe vëllain tim të vogël. Ne nuk po kërkojmë as shkolla as luks, asgjë që duhet ta kishim, por po kërkojmë vetëm mundësi për t’u ushqyer. Do të kishte qenë shumë mirë sikur vetëm një natë të vetme të vinin të flinin në Dukagjin politikanët tanë dhe me siguri më pas do të ishin më të përgjegjshëm.”
Edhe djali i vogël i shtëpisë, Aleksandri 8 vjeç, mundohet të ndihmojë sadopak familjen, duke mbledhur dru për ngrohje. I rritur mes halleve, ai duket sikur është shndërruar menjëherë nga foshnjë në burrë.
Të sigurosh dru për vatrën dhe të ziesh misër janë punët e vetme që kanë banorët e izoluar të Dukagjinit.
Pesë ditë më parë, një burrë 68 vjeç vdiq nga i ftohti në këtë fshat dhe qëndroi dy ditë i pavarrosur, deri sa trupi i tij u dërgua në Shkodër nga forcat speciale të policisë. Rreziku se të vdekurit mund të mbeten të pakallur, për shkak të dëborës, mungesa e ushqimeve, mungesa e mjekut, mungesa e shërbimit të telefonisë dhe energjisë elektrike janë probleme që i dëgjon nga çdo banor i Dukagjinit.
Në zonë duket se gjithçka ka ngrirë. Madje dhe gurgullima e ujit që ushton zakonisht në këto anë është zhdukur, pasi burimet janë kthyer në hejë gjigantë akulli. Vetëm tymi që del nga oxhakët e shtëpive lë të kuptosh se në këto anë ka ende njerëz.
Gazeta Shqip


Shto koment