Koplik, 20 të lënduar në një aksident komunikacioni

02.02.2012 (komentet: 0)

Të paktën 20 persona kanë mbetur të lënduar të mërkurën në një aksident rrugor në aksin Koplik-Shkodër, në të cilin fatmirësisht nuk pati viktima.

Policia ka bërë të ditur se aksidenti u regjistrua në segmentin rrugor në afërsi të fshatit Shtoj i Ri, ku dy furgonë me targa të Shkodrës, që udhëtonin në drejtime të kundërta, si dhe një veturë tip Benz, janë përplasur midis tyre. Në aksident u përfshi edhe një motoçikletë, duke e çuar në 20 numrin e të plagosurve.

Forcat e policisë rrugore të mbërritura menjëherë në vendngjarje, kanë nisur hetimet rreth shkakut të këtij aksidenti, ndërkohë që dy autoambulanca, kanë transportuar të plagosurit për në Spitalin Rajonal Shkodër, ku po i jepet ndihma e shpejtë.

Nga sa bëhet e ditur, më i dëmtuari ndër të gjithë është drejtuesi i motoçikletës, Eljaz Baroti, 75-vjeç, banor i qytetit të Koplikut të rrethit Malësi e Madhe, i cili ka pësuar disa fraktura në kokë dhe trup. /Start/Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment