Konsumatori i pakënaqur kërcënon me vetëdjegie
30.01.2012 (komentet: 0)
Prizren, 30 janar - Dështimi i përpjekjes për të ndërruar një televizor "plazma" ka detyruar një konsumator që të derdh mbi vete benzinë dhe të kërcënoj me vetëdjegie, në ambientet e një kompanie tregtare, gjë që është evituar në saje të intervenimit të një pjesëtari të Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë rajonale të Prizrenit, ky pjesëtari i policisë ka qenë jashtë detyre dhe rastësisht ka qëlluar në vendngjarje dhe me të dëgjuar kërkesat për ndihmë është vënë në veprim, duke evituar vetë djegien e një personi.
"Një polic jashtë detyre nga Njësia Speciale Operative nga Prizreni i cili kishte shkuar në ambientet e një kompanie të madhe tregtare për t’u furnizuar me mallra, kishte dëgjuar thirrjen për ndihmë sepse me sa thuhet, një qytetar i pakënaqur rreth blerjes apo ndërrimit të një televizori “Plazma” kishte lyer vetën me benzinë dhe donte të vetëndizej. Polici ka arritur që me një shpejtësi ta vënë situatën nën kontroll dhe t’ia largoi të dyshuarit shkrepësen nga dora", ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha. Sipas tij, i dyshuari pas arrestimit është dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.


Shto koment