Dyshime për hajni me kurban

28.01.2012 (komentet: 1)

I kishte paguar 600 euro në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, për 6 kurbanë, me bindjen se do t’u shpërndahen të varfërve dhe nevojtarëve për festën e Bajramit. Mirëpo, pas disa ditësh kishte kuptuar se paratë e saj dhe të të afërmeve të saj për kurban, ishin vjedhur nga Bashkësia Islame dhe “amaneti” nuk ishte dërguar në vend.

Besiana Xharra 

Kështu i kishte ndodhur një qytetareje nga Prishtina (e njohur për redaksinë), e cila hajninë që iu kishte bërë në Bashkësinë Islame e kishte kuptuar kur rastësisht në të gjitha faturat kishte parë numrin e njëjtë serik.“Kështu ajo ka paraqitur rastin menjëherë në Medrese, por akoma pas më shumë se dy muajve nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht se i është premtuar se do të sqarohet rasti i saj”, ka rrëfyer për “Zërin” një i afërm i kësaj gruaje, i cili nuk ka dashur që t’i dalë emri në gazetë. Ai thotë se familja e tij bashkë me të tjerat po duan të dinë se a kanë shkuar vërtet paratë e tyre për kurban, apo jo. Ndërkohë burime të “Zërit” brenda BIK-ut thonë se i dyshuari është Kenan Maxhuni, punjonës në Bashkësinë Islame në Prishtinë. Sipas këtyre burimeve, ai ka bërë këtë dallavere me paragona, ku dyshohet se rasti i kësaj gruaje është njëri prej shumë rasteve të tilla. Mirëpo, sipas këtij, ende nuk dihet nëse ky punëtor ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, apo ka vepruar i vetëm.

“Një zonjë ka ardhur te ne dhe ka paraqitur rastin, të cilin ne më pas e kemi dorëzuar në Këshill dhe ata e kanë përgjësinë që të merren me të, sepse punëtori i tyre e ka bërë një gjë të tillë”, tha një anëtar i Komisionit për prerjen e kurbanit, i cili nuk pranoi të flasë me emër. “Bëhet fjalë për fatura të njëjta, pra me të njëjtën shifër dhe dyshimet janë që ky punëtor në KBI që ka marrë paratë e qytetarëve ka pas një bllok më tepër (fals) të paragonave që i ka shfrytëzuar për t’iu dhënë qytetarëve në vend të faturës së vërtetë, dhe ka marrë paratë për vete”, tregon ky person.

“Nëse ai ka shfrytëzuar gjithë paragonin, i cili ka 50 fletë, i bie që ka përvetësuar jo më pak se 5 mijë euro prej vetëm një paragoni. Nuk ka më krim se të përdorësh kurbanin për hajni”, tha ai. Sipas tij, ajo që e bën rastin edhe më të dyshimtë, është edhe fakti se vitin e fundit, KBI në Prishtinë ka marrë më pak para për kurban prej qytetarëve sesa viteve të kaluara. Ai ka sqaruar edhe procedurat për ata besimtarë që paguajnë krubanin.

“Qytetarët dorëzojnë paratë për kurban në Këshill, i cili më pas ato para i dorëzon në Komisionin për prerjen e kurbaneve, dhe mishi shpërndarë te të varfrit dhe nëpër Medrese”, sqaron ai. Në Këshillin e Bashkësisë Islame, ndonëse kanë pranuar se një

gjë e tillë ka ndodhur, anëtarët e saj nuk kanë dashur që të merren shumë me rastin.

“Ju lutem, flisni me kryetarin e Këshillit, sepse ai i di detajet më mirë se unë, andaj më mirë ju sqaron ai se si ka ndodhur dhe deri ku ka shkuar procedura”, tha për “Zëri”, Burhan Hashani, kryeimam në KBI të Prishtinës. Por, kryetari i KBI-së, Bahri Sejdiu, i ka thënë “Zëri-t”, se është me grip dhe nuk mund të takohet, kurse përmes telefonit nuk ka preferuar të flasë. “Po, do të kishim folur, por jam shumë i sëmurë, e pa u takuar vështirë që mund të kuptohemi”, është përgjigjur përmes telefonit me mesazh, kryetari Sejdiu.

Ndonëse Këshilli si një nivel më i ulët se Bashkësia Islame e Kosovës dhe sipas rregullave për çdo gjë do duhet të raportonte te BIK-u, zyrtarët e saj thonë nuk janë të njoftuar me rastin në fjalë. “Ne nuk kemi marrë një informatë të tillë. Prandaj, flisni me Këshillin”, tha Sabri Bajgora, nga BIK. Gazeta ka bërë përpjekje disa ditë që të kontaktojë edhe me punëtorin e dyshuar të BIK-ut, por ka qenë e pamundur për shkak se zyrtarët e kësaj bashkësie nuk kanë dashur që të merren me këtë rast.

Kthehu mbrapa

Shto koment

Koment nga Bashkimi | 28.01.2012

Fati i zi i yni eshte se gjithkund ne krye te qdo iunstitucioni jane vendosur hajnat , pisat bile edhe te padijshmit.
Duhet ky popull te vetedijsohet, ska ndertim te shtetit pa ghygjesi.