Dënohet Plaku që “Mbrojti Nderin”

05.02.2012 (komentet: 0)

Gjykata e Qarkut në Prizren e ka dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim 73-vjeçarin T. B. nga Shkoza e Malishevës, i cili në shtator 2011, e kishte plagosur rëndë dashnorin e gruas së vëllait të tij. Ai u shpall fajtor për vrasje në tentative dhe armëmbajtje pa leje. Rr. T. gjendet në gjysmëparalizë, por plaku është nervozuar me gjykatën pse po e quajnë atë të dëmtuar. “Ma ka qitë marren e zezë, a e bani mend se ato qika më kush nuk mi merr...Nuk është dashtë me mbajt asnjë ditë burg, unë për të”.

 

Petrit Kryeziu

Prokurori Publik i Qarkut, në fjalën përfundimtare, mbeti në tërësi pranë aktakuzës së ngritur kundër të pandehurit T. B. 

Ai tha se duke u bazuar në procedurën e provave, dëshminë e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe provave tjera materiale, pa mëdyshje është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, dhe atë me dashje, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Rr. T.

Me rastin e matjes së dënimit, ai tha që të merren parasysh si rrethanat rënduese, po ashtu edhe ato lehtësuese. Si rrethana rënduese të merren shkalla e lartë e rrezikshmërisë së kësaj vepre dhe vetë rreziku i shkaktuar me këtë vepër penale.

Ndërsa nga rrethanat lehtësuese të merret parasysh fakti se këtu i akuzuari T. B. ndodhet për herë të parë para ligjit dhe se kurrë më parë nuk ka kryer vepër penale. Po ashtu të merret parasysh edhe fakti se ai është kryefamiljar dhe sipas “traditave shqiptare”, kryefamiljari konsiderohet se e ruan nderin e familjes, e sidomos nga vendi prej ku vjen i akuzuari. Andaj, duke u gjendur para një shqetësimi të madh shpirtëror, ai e ka kryer këtë vepër penale, tha prokurori Sefa.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Bashkim Nevzati dhe vëllai i të dëmtuarit, në fjalën përfundimtare edhe njëherë deklaruan se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe thanë se nuk kanë dëshirë që T. B. të dënohet me burg.

Mbrojtësit e të akuzuarit, duke e përshkruar edhe njëherë në tërësi ngjarjen, konkluduan se të gjitha veprimet e marra nga këtu i akuzuari, nuk kanë qenë me dashjen që ta privojë nga jeta të dëmtuarin, sepse me pas dashtë me e ndërmarrë një veprim të tillë , ai ka mund që t’ ia marrë jetën, sepse ka pasur ende municion në revole.

Mbrojtësit shtuan se i vetmi qëllim i të akuzuarit ka qenë të dijë se kush e solli kunatën e tij në atë kohë në shtëpi. Këtë e dëshmon edhe fakti, se ai fillimisht ka shtënë në drejtim të gomave të veturës, pastaj ka gjuajtur edhe në veturë, me ç’rast një plumb e ka kapur Rr. T.-në.

Nga kjo mbrojtja i propozoi trupit gjykues, që këtu të akuzuarin ta gjykojë për vepër penale të lëndimit të rëndë trupor, e nëse kjo tezë nuk aprovohet, atëherë të shkojë me veprën penale, të kryer në afekt mendor.

Në fjalën përfundimtare, 73-vjeçari T. B., shprehu keqardhje për të dëmtuarin dhe familjen e tij. 

“Ishalla Zoti nuk e provon kërkënd sikur mu, se vështirë shumë qenka. Unë nuk kam dashtë me e vra se me dashtë e kisha vra. Nuk është që nuk kam mujt, po as që e kam njoftë, e as tani nuk e njohë të dëmtuarin”, tha ai.

Pas kësaj trupi gjykues, u tërhoq për këshillim dhe votim dhe nxori këtë aktgjykim:

I pandehuri T.B. shpallet fajtor për veprat penale të vrasjes në tentative dhe të armëmbajtjes pa leje. Për veprën penale të vrasjes në tentativë, dënohet me tre vjet burg, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dënohet me shtatë muaj burg. Gjykata i shqiptoi dënimin unik, prej tre vjet e gjashtë muaj burg. Ndërsa nga kjo ditë, të akuzuarit iu ndërpre masa e paraburgimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, shumë i mllefosur, i akuzuari i u drejtua trupit gjykues me fjalët: “A ma i dëmtuar jam unë, apo ai që po i thoni i dëmtuar? A e dini që mi ka lanë pesë qika jetime në derë. Ma ka qitë marren e zezë, a e bani mend se ato qika më kush nuk mi merr! Boll i dëmtum jam unë, veç edhe ju po më dënoni. Nuk është dashtë me mbajt asnjë ditë burg, unë për të”, përfundoi i akuzuari T. B., të cilin Policia e nxori nga salla e gjykimit.

Mbrojtja e të akuzuarit paralajmëroi ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, që në këtë rast është Gjykata Supreme e Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment