Këngë për tre heronj
27.01.2012 (komentet: 0)
Kjo pjesë, megjithëse brutalisht e shkurtuar, u botua në numrin 1 të vitit 1983 të « Zërit të Kosovës ». Jusuf Gërvalla, ky hero i Kosovës, ka qenë një njeri shumë i dashur për mua. E kam njohur përgjatë shkollës së mesme kur ai me kitaren e këngën e tij mbushte korridoret e gjimnazit, kodrat mbi Pejë e sokakët e ngushtë të qytetit.
Njohja e shoqërimi u thelluan gjatë studimeve në albanologji. Për të kulmuar me diçka që nuk do ta harroj kurrë – diplomimin në një ditë dhe në një orë para një komisioni të Fakultetit Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare. Me atë rast Jusufi pat shkaktuar një skandal të paimagjinueshëm për kohën: Ai pat kërkuar me ngulm dhe në fund edhe arriti largimin nga Komisioni të një poeti, profesor në fakultet, i cili njihej si njeri i regjimit. dhe dyshohej edhe si denoncues i intelektualëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare. Jusufi pat ngulë këmbë me këto fjalë që nuk i harroj kurrë : « Në formularin tim të dëshmisë për diplomë nuk dua të qëndrojë një nënshkrim i ndyrë tradhtari… »).
Këngë për tre heronj
(Kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës)
Muaj e vite do t’kalojnë,
Tre petrita s’i harrojmë !
Vra nga UDB-a e Beligradit,
n’Gjermani, afër Shtutgardit.
Ranë për tokë tre djem të ri,
për t’u ngritë me qindra mijë.
Ranë tre vëlalzën, dy t’nji nane-
Për Kosovën tonë azgane.
Ranë si lule n’përqafim,
që nuk humbin kurrë shkëlqim !
si Isaja n’Podgoricë,
Kadri Zeka s’rreh çerpikë.
Bardh Gërvalla i Dubovikut,
si Hasani Selanikut.
S’tremben trimat e Kosovës martire,
nga revole e UDB-ës katile.
Ata e kanë për krenari,
për at’ gjak që sjell liri.
Kështu mendonte vëllau i madh,
n’prag të vdekjes në spital :
Oj Kosovë, prit nga ne t’fala-
ligjëron Jusuf Gërvalla-
s’na vrau ne dora e Shqiptarit,
por policë të jugosllavit.
Vdiqën trimat për Kosovë,
Lajmi i zi u përhap n’botë :
N’Gjermani në punë të vet,
UDB-a serbe shqiptarë vret.
Vret tizisht e me tradhti,
që vllavrasje t’bëjë kërdi.
Që nga varret trimat thërrasin :
Bënie UDB-en të pëlcasin.
Lidhnju fort me besa-besë !
Rreth Lëvizjes sokoleshë,
Që Kosova hallemadhe,
t’bëhet Republikë Shqiptare !
Që nuk don asnjë pëllëmbë trolli,
që Iliri nuk e mbolli,
por që lyp çka i takon,
historia çka dëshmon :
Manastir, Dibër, Tetovë,
Strugë, Shkup e Kërcovë,
këto kanë qenë edhe kanë mbetë-
fole shqipesh trimash me fletë.
Mos t’harrojnë fëmijët e Kosovës !
Plava s’është e Cërnagorës,
As Gucia e serbijanit,
As Tivari i Mark Milanit.
S’është Presheva e Shumadisë,
as Medvegja e Juzhna Serbisë,
Këto janë troje aq shqiptare,
sa është e bardhë bora mbi male.
Edhe kurrë nuk lëshohen dore,
se do ngriten t’vdeknit ndër vorre.
Jusuf Gërvalla pat me thanë :
Mos na qaj e dashnja nanë !
N’Dubovik ku ti na rrite,
Me bukë t’kuqe misërnike,
N’kaptjell t’djepit pate folë-
Rritnju nënës për Kosovë.
Për Bardhoshin m’pate thanë,
kur ma ngjyjshe bukën n’lang :
Ka me u nga burrave t’motit
që janë hedhë mbi gryka t’topit !
A e di nanë për t’parën herë,
Kadri Zeka kur t’erdh në derë :
Mirë se erdhe, i the atij.
« M’hine n’qejf si bijtë e mij ».
E moj nanë, ti mirë e pate,
Kadri Zeka s’kishte llafe !
Bajke punë që bëjnë veç trimat-
Sylejmanat e Boletinat.


Shto koment