Abdullah Shasivari , kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Shpëtim i LDK-së ka thënë se drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje e Shpëtim nuk ka qenë në gjendje të menaxhojë profesionalisht me këtë drejtori dhe nuk ka qenë i aftë të koordinojë dhe të kërkojë realizimin e kompetencave dhe përgjegjësive që i takojnë.
Por, sipas tij LDK ka planin e saj tani më të hartuar për të qeverisur mirë edhe me këtë drejtori e të cilën në pika të trasha e ka shpalosur përgjatë një konference me gazetarë, ku ka vënë në pah objektivat dhe projektet kryesore të LDK-së përkatësisht të Komisionit përkatës po që se do të qeverisin dhe drejtojnë këtë drejtori.
Duke folur për dështimet e DMSH-së ai ka përmendur fushat të ndryshme si mungesën e planeve konkrete si dhe i projekteve të rëndësishme duke bërë që DMSH të mos jetë në gjendje për t’u ballafaquar me problemet në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera. Me këtë rast ai ka përmendur zjarret e vitit të kaluar ku ishin të djegura rreth 600 hektar pyje, dhe dëmet ekonomike llogariteshin të ishin përafërsisht 3 milion euro e ato ekologjike rreth 5 milion euro.
Sipas tij, dokumenti i vlerësimit të rrezikut është bazik për hartimin e planeve dhe realizimin e përgjegjësive tjera të drejtorisë. Shasivari ka thënë edhe se DMSH duke qenë e menaxhuar nga drejtues të papërvojë dhe jo profesional ka dështuar edhe sa i përket bashkëpunimit më të ngushtë me strukturat e sigurisë në komunë, si me policinë, FSK-në, me organizatat civile, komunat fqinje, KFOR-in e të tjerë.
Pasi përmendi edhe një mori vërejtjesh në adresë të DMSH-së, Shasivari tha se LDK ka planin e saj katërvjeçar edhe për këtë fushë duke shpalosur objektivat e projektet duke thënë se me LDK, DMSH-ja do të jetë e gatshme të ballafaqohet me problemet në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, por edhe ti kryej të gjitha obligimet e saja që dalin nga fusha e përgjegjësisë.
AI tha se e kanë tanimë në mënyrë profesionale tërë planin e organizimit të DMSH –së, ndërsa, duke përmendur projektet, Shasivari tha se ndër ato me prioritet janë funksionalizimi i qendrës së alarmimit, që do të bëhej përgjatë vitit 2014 me një projekt në vlertë 15 mijë euro, pastaj ndërtimi i stacionit të zjarrfikës dhe shpëtimit, përgjatë vitit 2015, projekt me një vlerë prej 200 mijë euro dhe projekti i tretë kompletimi i këtij stacioni, që do të bëhej më 2016, përmes një projekti me vlerë rreth 400 mijë euro. /2lonline/