Mustafën e Pajazitin sonte shefi i le pa gjumë ?!

02.09.2013 (komentet: 0)

"A vendosi mo Shefi!" Kjo është pyetja më e shpesht që tani po bëhet nga PDK-istët e Gjilanit të cilët presin me padurim emrin e kandidatit të tyre që do të sfidojë kandidaturat e subjekteve tjera në garën për të parin e komunës. Ndërkohë, që ata që janë hapur pro kandidaturave përkatëse, i përgjigjen shkurt kësaj pyetje “Është krye kjo punë”, duke përmendur pastaj të preferuarin e tyre si përcaktim i liderit të PDK-së Hashim Thaçit për kandidatin e PDK-së për Gjilanin.


Janë dy emra që pretendojnë këtë post, Qemajl Mustafa, kryetar aktual i komunës dhe Zenun Pajaziti, kryetar i Degës së PDK-së së Gjilanit. Ndërkohë që përkrahësit e tyre, gjatë gjithë ditës së sotme janë përpjekur të përçojnë tek të tjerët dëshirën e tyre, në tentativë për t'ia imponuar edhe atyre, atë se kjo punë është kryer tani më dhe se shefi ka vendos për të preferuarin e tyre dhe vetëm pret momentin për të bërë publike. 

E, burimet e Portalit 2lonline brenda  PDK-së së Gjilanit, të cilët iu referohen kontakteve me njerëzit afër Thaçit, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në PDK për këtë çështje, thonë se megjithatë Zenun Pajaziti, do të jetë emri që do të dal nga goja e Thaçit kur të vije momenti, e i cili do të hyjë në garën për të parin e komunës në zgjedhjet e 3 nëntorit, si kandidat i PDK-së.

Por, ditë më parë disa media, po ashtu duke iu referuar burimeve të tyre brenda PDK-së, kishin publikuar lajmin me mendimin krejtsisht ndryshe, duke thënë se Qemajl Mustafa kryetar aktual i komunës së Gjilanit, do të jetë kandidatura e PDK-së së Gjilanit  për të cilën ishte përcaktuar Thaçi. 

E lidhur me këtë, mbështetësit e  kandidaturës së Pajazitit, thonë se këtë e kanë parë vetëm si luftë nervash, madje vet Pajaziti as nuk ka dashtë të deklarohej pas këtyre shkrimeve, pasi që për të, deklarimi publik për kandidaturën i takon kreut të Partisë Hashim Thaçit dhe ai këtë nuk e kishte bërë akoma.   

Kjo që u tha më lartyë pastaj i bënë këto burime të dyshimta sa i përketë vërtetësisë dhe e bënë këtë çështje lëmsh, që fijen mund t’ia gjej vetëm Hashim Thaçi.

Përndryshe, kjo zvarritje interpretohet në mënyra të ndryshme. Ka zëra (përkrahës të Pajazitit) që kreu i PDK-së Hashim Thaçi duke shtyrë vendimin, për të publikuar kandidaturën e Pajazitit deri në momentin e fundit, dëshiron të pamundësojë ndonjë lëvizje eventuale të Mustafës drejt largimit dhe krijimit të Iniciativës qytetare, përmes të cilës do të garonte prapë në këtë garë, gjë kjo që përfolët me të madhe në Gjilan.

Po ashtu përflitej se një mbështetje të fuqishme  Mustafa e priste nga AKR-ja, por erdhi, ditë më parë, në Gjilan lideri i AKR-së Behgjet Pacolli dhe me veprimet që ndodhen pastaj, të njohura për opinionin, u prishën këto matematika, duke lënë tani vetëm mundësinë e ndonjë Iniciative qytetare përmes të cilës Mustafa do të kandidohej.  

Në anë tjetër, (përkrahësit e Mustafës), ata që mendojnë dhe janë të bindur se puna është kryer dhe se Mustafa do të jetë kandidaturë e PDK-së në garën për kryetar komune, e mbështesin këtë në atë se Thaçi, është pajtuar që Mustafa të jetë kandidati, i bindur në atë, se vetëm me të, PDK-ja e ka fitoren e sigurt në Gjilan, e Gjilanin nuk e do të humbur kreu i PDK-së. 

Edhe ata thonë se vetëm pritet që Thaçi ta zyrtarizojë kandidaturën e Mustafës për kryetar të Gjilanit sepse vendimi është marrë.

Ndërsa, kur jemi te AKR-ja e Pacollit është interesant edhe një gjë që ka të bëjë me ata që deri dje janë identifikuar me atë logo, por që ndërlidhet kjo çështje edhe me kandidaturën e PDK-së

Kjo zvarritje e PDK-së në publikimi të kandidaturës po i zvarrit edhe grupacionet që deri dje ishin në AKR apo zyrtarisht janë akoma, por që tani pas zhvillimeve të fundit  në këtë subjekt, po kërkojnë alternativë.

Përflitet se ish kryetar i Degës së AKR-së Omer Daku, me mbështetësitë e tij, pret vendimin e PDK-së për faktin se, nëse do të dal Mustafa kandidat, ata do t’i bashkohen në ndonjë formë PDK-së, ndërsa jo edhe nëse kandidohet Pajaziti.

Po ashtu edhe ish pretendenti për kryetar të Degës së AKR-së Arben Dubova me grupacionin e tij, i cili ishte tërhequr më herët nga struktura e Degës pasi nuk kishte fituar e nuk ishte pajtuar me faktin që Daku po udhëhiqte me Degë, thuhet të ketë “dështuar” të kthehet në strukturat udhëheqëse të AKR, tani pas shkarkimit të Dakut, gjë e cila ishte pritur të ndodh. Në këtë  kontekst komentohet edhe largimi i Mimoza Shkodrës e cila vetëm pak orë pasi ishte zgjedhur nënkryetare e Degës së AKR-së, është larguar.

Me këtë edhe ky grup, është duke i pritur zhvillimet në PDK, dhe përflitet se nëse kandidohet Pajaziti, mund ti bashkohen PDK-së, nëse kandidohet Mustafa atëherë jo, ndërkohë që pastaj alternativ për këtë grup mund të jetë edhe LDK.

SI do që të jetë, do të mësohet saktë, shumë shpejtë sepse thuhet se orët ndajnë nga vendimi që do të bëjë publik lideri i PDK-së Hashim Thaçi nga goja e të cilit do të shqiptohet, ose emri i Mustafës ose i Pajazitit për t'i dhë fund kësaj çështje. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment